Russia-FedRusia përdori të drejtën e Vetos për të hedhur poshtë projekt-rezolutën për Krimenë në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Përfaqësuesi i Rusisë Vitali Çurkin tha se projekt-rezoluta shkelte parimet ndërkombëtare. Ajo dënonte referendumin që zhvillohet të djelën, me anë të të cilit do të përcaktohet nëse rajoni i bashkangjitet Federatës ruse apo mbetet pjesë e Ukrainës. Sipas rezolutës, referendumi cënon integritetin territorial të Ukrainës.

Draft-rezoluta u mbështet nga 13 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, ndër të cilat ato perëndimore. Veto e Rusisë ishte e pritshme nga diplomatët perëndimore. Votimi tregoi se Rusia është e izoluar këtë kauzë, pasi edhe Kina aleati kryesor i Moskës në çështjen ukrainase, abstenoi. Kievi e konsideron të antikushtetues referendumin e së djelës në Krime. Paradite, parlamenti kombëtar i Ukrainës votoi pro shpërbërjes së parlamentit rajonal të Krimesë.

Tensionet në disa pjesë të Ukrainës para referendumit janë të larta. Prej orëve të natës, përleshje të ashpra pati në Harkiv, mes grupeve pro dhe anti-ruse, që i morën jetën 2 personave.

Filo-rusët sulmuan sërish gjatë ditës parlamentin rajonal në Donjeck. Presidenti i përkohshëm i Ukrainës Oleksandër Turçinov akuzoi ata që i kondideroi “agjentë të Kremlinit” për tensionet në vend.

Në rrugët e kryeqytetit rus Moskë, mbi 50 mijë njerëz marshuan kundër politikave që presidenti Vladimir Putin po ndjek në Ukrainë.

Ata kërkuan që të hiqet dorë nga referendumi në Krime, që përshkallëzon konfliktin në Ukrainë dhe rrezikon nisjen e një lufte të re botërore.

Redi Prifti