“Na ofrohen kryesisht para nga aktivitete të paligjshme”

Bizneset ngrenë shqetësimin se është duke u rikthyer fenomeni i fajdeve, e se shumë sipërmarrje të ndodhura në kushte emergjente për financim po pranojnë oferta nga grupe joformale, përfshirë edhe burime nga aktivitete të paligjshme.

Gjergj Buxhuku thotë se në bazë të të dhënave të Qendrës së Studimeve të Konfindustrias, numri i bizneseve që kanë pranuar se i janë drejtuar tregut informal është rritur me 7% gjatë 2020-s.

“Po shohim një fenomen në rritje të ofrimit të parave që vijnë nga kanale të errta. Flas këtu për kategorinë e bizneseve të mëdha dhe të mesme si zinxhir. Ne këtë studim e bëjmë çdo vit, dhe kemi vënë re një rritje me 7%”, thotë Gjegj Buxhuku nga Konfindustria.

Një tjetër sektor që po i drejtohet tregut joformal për të marrë para për nevojat e biznesit, është bujqësia. Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit, shprehet se mungesa e shoqërive të sigurimit në këtë treg bën që bankat t’i tremben dhënies së kredive, dhe po ashtu e numri i lartë i fermerëve të paregjistruar. “Ne kemi problemin që kompanitë e sigurimit nuk e sigurojnë si sektor bujqësinë, përfshirë këtu dhe numrin e lartë të fermerëve që janë të paregjistruar, drejtimi drejt burime alternative të financimit bëhet i pashmangshëm”, tregon Agim Rrapaj, kreu i këshillit të Agrobiznesit.

Sektorët më të preferuar për të dhënë para nga tregu jo zyrtar është ai i ndërtimit, shërbimeve, agroindustrisë dhe mineraleve, ndërsa më shumë përzgjidhen biznese të mesme e të mëdha.

“Problemi ekziston edhe me bankat, që për shkak të rregullave vështirësojnë dhënien e kredisë, ndërsa si sektorë kanë patur oferta në tregun e mineraleve, ndërtimi e shërbimet janë të preferuara”.

“Kemi shtim në këtë periudhë të bizneseve që kanë marrë para me fajde, sidomos pas efekteve të pandemisë”.

Në bazë të një sondazhi të realizuar nga Banka e Shqipërisë, fenomeni i dhënies së borxheve jashtë kanaleve zyrtare rezultoi i rritur në gjysmën e parë të vitit që shkoi, ku 45% e familjeve dhe 9% e bizneseve që kishin një hua, rezultonin të kishin marrë në tregun informal.

Tv Klan