Biznesmeni Armandi Nelaj nga Saranda humbi jetën në 24 Qershor si pasojë e një shpërthimi me lëndë eksplozive teksa ishte në det në orët e vona të natës.
Policia ka zbardhur ngjarjen dhe njofton se biznesmeni 52-vjeçar humbi jetën pasi eksplozivi që i shpërtheu kishte qëllim ta vendoste në një prej anijeve që bënin linjën Sarandë-Korfuz. Policia e Sarandës ka dalë në këtë përfundim duke argumentuar se biznesmeni kishte synim dëmtimin e biznesit për motive konkurrence.
Në pranga ra edhe bashkëpunëtori i tij Eridion Muho 35 vjeç. Të dy kishin siguruar tritolin i cili shpërtheu aksidentalisht gjatë transportimit drejt anijes që ishte e ankoruar në det.
Ngjarja e një muaji më parë ishte e mbushur me mister, pasi fillimisht u dyshua se i shpërtheu bombola e oksigjenit ndërsa pati hetime edhe për një atentat të mundshëm.
Viktima u gjet nga dy shtetas të huaj, të cilët udhëtonin me një gomone drejt skafit të tyre. Këta dy persona e kanë nxjerrë menjëherë nga uji dhe e kanë transportuar drejt Portit të Sarandës, ku më pas është marrë nga ambulanca për ta dërguar në spital. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, biznesmeni nuk ka arritur të mbijetojë.
Armandi Nelaj ishte biznesmen prej 13 vitesh, pronar i një kompanie të mjeteve të rënda të ndërtimit.
Klan News