Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka deklaruar në Bruksel në mbledhjen e ministrave të Jashtëm evropiane se përkundër mbështetjes nga BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë arritur progres të kufizuar.

Sipas tij, do të ketë presion mbi të dyja palët për të ecur përpara drejt zbatimit të marrëveshjes së arritur me 18 mars të vitit të kaluar në Ohër.

Me duhet t`ju kujtoj se është përvjetori i parë i Marrëveshjes së Ohrit. Koha ikën dhe tashmë është një vit që atje kemi arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për të ecur drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve. Fatkeqësisht, përkundër mbështetjes së gjerë të Bashkimit Evropian dhe asaj ndërkombëtare që i dhanë kësaj marrëveshjeje, Serbia dhe Kosova kanë arritur progres shumë të kufizuar në zbatimin e saj. Së shpejti do të jetë takimi i ri i kryenegociatorëve këtu në Bruksel. Më vjen shumë keq që kjo marrëveshje e cila ishte shumë e vështirë për t’u arritur, nuk është zbatuar. Ne do të vijojmë të ushtrojmë presion ndaj të dyja palëve për të ecur përpara sepse pas një viti konstatohet se zbatimi i angazhimeve të marra në Ohër nuk ka qenë ne nivelin e pritshmërive tona.

Zyrtarë të Bashkimi Evropian dhe SHBA-ve në vazhdimësi kanë akuzuar palët në dialogun Kosovë-Serbi se nuk po angazhohen mjaftueshëm për zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes tyre.

Tensionet në veri që kulmuan me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator 2023 si dhe diskutimet e fundit për çështjen e dinarit që u aktualizua së fundi, kanë çuar bllokimin e zbatimit të pikave për të cilat Kosova dhe Serbia kanë rënë dakort më parë në dialogun e Brukselit.

Vetë presidenti serb Vuçiç gjatë një aktivitetit në përkujtim të të ashtuquajturit eksod serb tha se ai nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës, dhe se ajo do të jetë gjithmonë pjesë e Serbisë.

Klan News