Gjykata e Tiranës nuk pati dyshime për të lënë në arrest me burg Vilson Brahjan. Ai akuzohet si personi, i cili vendosi tritoli në banesën e familjes Daci në Bathore, 5 ditë më parë. 23-vjeçari ka pranuar në gjykatë se është ai autor dhe se e kishte kryer këtë për para.

Brahja shfaqi pendesë duke sqaruar se sapo ishte kthyer nga Gjermania dhe kishte mbetur pa punë. I riu i ka thënë gjykatës se kishte takuar një mikun e tij, të cilin e kishte patur në shkollë, të cilit nuk ia mbante mend emrin. Ai i kishte kërkuar Brahjas t’i gjente një person për të vendosur tritolin në banesën e familjes Daci. Por i arrestuari i kishte thënë që këtë punë do ta kryente ai kundrejt shumës prej 1500 Euro.

Autori i ngjarjes sqaroi se paratë nuk i mori asnjëherë, pasi personi që e punësoi i kishte fikur telefonin.

Vilson Brahja e mbylli deponimin e tij duke thënë se nuk e dinte që dy familjet Daci dhe Kolaveri ishin në konflikt. Në seancë, prokurori tregoi se autori u identifikua nga makina që përdori për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Kamerat e sigurisë e kishin pikasur në zonë dhe pas shoqërimit të 23-vjeçarit u zbulua e gjithë ngjarja.

Konflikti mes familjeve Kolaveri dhe Daci deri tani ka prodhuar një viktimë, një të plagosur dhe disa përplasje. Më i bujshmi është atentati në burgun e Vaqarrit ndaj Gazmir Dacit, i cili është dënuar me 35 vite burg për vrasjen e Valmir Kolaverit dhe plagosjen e vëllait të tij Robertit.

Tv Klan