Zyrtarët e lartë të partisë më të madhe opozitare greke të pakënaqur me kryetarin Tsipras

Pas rezultatit katastrofik në zgjedhjet e 21 Majit, ku humbi më shumë se 11 pikë përqindjeje, partia kryesore opozitare e Greqisë SYRIZA po diskuton tani se si të parandalojë fuqizimin e tepërt të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis dhe partisë së tij Demokracia e Re. Syriza synon të marrë disa pikë nga 20 për qind që është hendeku mes dy partive më të mëdha të vendit.

Por një disfatë e përmasave të tilla në mënyrë të pashmangshme ka nxitur thirrjet për një udhëheqje më kolektive të Syriza-s dhe pse jo zëvendësim të drejtpërdrejtë të kryetarit. Dhe bashkë me këto thirrje kanë ardhur edhe përplasjet e para të rënda mes drejtuesve të lartë të SYRIZA-s.

Të martën, politikani veteran i SYRIZA-s, Dimitris Papadimoulis, një nga nënkryetarët e Parlamentit Europian, tha në një panel televiziv se hapi i parë i mirë për ta ngritur SYRIZA-n në këmbë është rrethimi i Tsipras-it në fushatën për zgjedhjet e reja me politikanë më të rinj që e treguan veten si magnet votash në zgjedhjet e së dielës. Madje ai përmendi tre emra – Efi Achtsioglou, Alexis Haritsis dhe Nasos Iliopoulos.

Propozimi i Papadimoulis shkaktoi një përgjigje të ashpër të mërkurën nga ish-guvernatorja e Atikës, Rena Dourou, e cila doli e dyta pas Achtsioglou në mesin e kandidatëve të SYRIZA në zonën elektorale të Athinës Perëndimore.

Për Dourou, propozimi i Papadimoulis ishte “i neveritshëm, në rastin më të mirë”, dhe që reflekton planet për një lloj komploti partiak. Ajo kritikoi ish-bashkëmoshatarin e saj të moderuar të SYRIZA-s se nuk mori pjesë në mbledhjet e organeve të larta të partisë dhe shtoi se “askush nuk duhet të përmendë emra”. Dourou shihet gjithashtu se ka ambicie për kryetare të partisë.

Nikos Pappas, një ish-ministër dhe mik i ngushtë i Tsipras, tha se ndërhyrja e Papadimoulis ishte “krejtësisht e pa bazë … në vendin dhe kohën e gabuar”.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Andreas Xanthos gjithashtu kritikoi Papadimoulis, por shtoi se “askush nuk mund të thotë se biseda për kryetarin është një temë tabu pas një rezultati kaq negativ”.

Klan News