Bullgaria bën një hap pas dhe tërheq afatet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për çështjet historike me Maqedoninë Veriore. Pas mbledhjes 6 orëshe të Këshillit të Sigurisë së Bullgarisë, presidenti Rumen Radev pranoi se Integrimi Europian i Shkupit ka ngecur dhe bëri thirrje që ai të zhbllokohet me përmbushjen e disa kritereve nga fqinji.

Kreu i shtetit bullgar kërkoi që procesi të mos kushtëzohet me afate, por me përmbushjen e detyrimeve që dalin nga Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë.

“Rëndësi të veçantë kanë projektet që sigurojnë lidhje infrastrukturore, transporti, lidhje energjetike dhe digjitale, me theks të veçantë Korridori 8. Një gjë e tillë do të ndihmonte në shmangien e ngërçit mes të dyja shteteve dhe do të nxiste procesin e negociatave. Zgjidhja e çështjeve të hapura politike do ta përmirësojë progresin në të gjitha këto sfera”.

Radev tha se Sofja pajtohet që Tirana të nisë negociatat me Bashkimin Europian, pavarësisht nga zhvillimet në Maqedoninë e Veriut.

Pozicionet e Sofjes u zyrtarizuan para vizitës në Shkup të kryeministrit të ri të vendit, Kirill Petkov.

Bullgaria kërkon më shumë të drejta për komunitetin bullgar në Maqedoninë e Veriut si dhe këmbëngul se nuk ekziston një gjuhë maqedone, por ajo është një dialekt i bullgarishtes.

Këto pretendime janë refuzuar vazhdimisht nga Shkupi dhe janë quajtur të padrejta.

Klan News