Ndryshon Kodi Penal, deri në 15 vjet burg nëse ka pasoja për jetën

Pas tërmetit të 26 Nëntorit, i cili shkaktoi 51 viktima dhe afërsisht 1 miliardë euro dëme, Këshilli i Ministrave ka vendosur të ndryshojë Kodin Penal, duke propozuar dënimin me deri në 15 vjet burg të ndërtuesve dhe projektueseve që abuzojnë me cilësinë e ndërtimit.

“Kryerja e çdo veprimi tjetër me dashje, që mund të sjellë rrëzimin e plotë ose të pjesshëm të ndërtesave, ose të çdo objekti tjetër që mund të rrezikojë jetën ose shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 5 vjet. Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga 7 deri në 15 vjet.”

Ndryshimet në Kodin Penal propozojnë edhe përgjegjësi për projektuesit, mbikëqyrësit dhe kolauduesit e godinave, të cilët shkelin rregullat teknike në fuqi dhe lejen e ndërtimit.

Shkelja dënohet nga 1 deri në 5 vjet burg, e në rastin kur ka pasoja të rënda për jetën, masa e dënimit shkon deri në 15 vjet burg.

Bashkë me ndryshimet në Kodin Penal, qeveria ka iniciuar edhe amendimet në Ligjin për Planifikimin e Territorit, duke detyruar ndërtuesit që përpara se të marrin lejen e ndërtimit, të sigurojnë me vlerën e plotë të investimit ndërtesën, si mënyrë për të mbuluar kostot, nëse nuk respektohen afatet e lejes, por po ashtu duhet të dorëzohet dhe sigurimi i përgjegjësive në ndërtim. 

“Shoqëria e sigurimit, në rast se ndodh ngjarja e siguruar, është e detyruar të paguajë dëmin, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së autoritetit publik përgjegjës.”

Pjesë e ndryshimeve ligjore është edhe kontrolli dhe disiplinimi i punimeve, i cili parashikon ngritjen e një komisioni që do të shqyrtojë punën e projektuesve, zbatuesve teknikë dhe mbikëqyrësve të objekteve për t’i ndëshkuar ata me gjobë nëse kanë shkelur ligjin deri në heqje të licencës.

Tv Klan