Shpikjet e personave të burgosur për të futur në qeli sende të paligjshme janë nga më të çuditshmet, por një rast i rrallë u shënua në burgun e Lezhës. Ishte koha e ajrimit për të dënuarit kur rojet panë që të fluturonte nga jashtë ky top futbolli me logon e Realit të Madridit.

Gardianët e kanë sekuestruar menjëherë duke zbuluar në brendësi të tij tre celularë, dy iPhone dhe një Samsung, bashkë me karikuesit dhe dy karta celulari. Mësohet se ngjarja ka ndodhur mesditën e së mërkurës dhe ende nuk janë identifikuar autorët e hedhjes së topit në rrethimin e burgut. Aktualisht janë sekuestruar dhe po verifikohen kamerat e sigurisë. Nuk dihet as personi për të cilin ishin destinuar celularët.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm kanë nisur prej disa javësh kontrollet blic në të gjitha burgjet e vendit, ku janë sekuestruar në total 17 telefona celularë, 135 doza lëndë narkotike e dyshuar kanabis dhe 27 mjete prerëse të improvizuara nga të burgosurit.

Tv Klan