#Check-in #TvKlan | Emision nga Albana Nanaj

I vendosur në Juglindje të kontinentit aziatik, Vietnami është një vend plot bukuri mahnitëse, për t’u eksploruar në gjithë gjatësinë e tij prej gati 1700 kilometrash, duke përjetuar kështu një udhëtim të larmishëm, të ndryshëm nga zakonisht, plot emocione e magji nga fillimi deri në fund.

Nëse në të kaluarën Vietnami ishte i lidhur me luftën që e përfshiu atë për më shumë se dhjetë vjet kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sot konsiderohet një destinacion i rendesishëm turistik i përbërë nga peizazhe dhe tradita të mrekullueshme që kanë ndjekur njëra-tjetrën ndër shekuj, me një histori të gjatë dhe një trashëgimi të madhe kulturore dhe artistike duke e bërë të jashtëzakoshëm itinerarin në zbulim te tij.

I njohur si Toka e Dragoit, Vietnami është vendi më lindor i Gadishullit të Indokinës në Azinë Jugore. Me një popullsi të vlerësuar prej 90.5 milionë banorë; është vendi i 13-të më i populluar në botë dhe kufizohet me 3 shtete: Laosin, Kinën dhe Kamboxhian si dhe në pjesën lindore dhe jugore në gati gjithë gjatësinë e tij laget nga Deti i Kinës.

Itinerari ynë i udhëtimit në zbulim të këtij vendi magjepsës fillon me kryeqytetin aktual Hanoi, për të vazhduar në ujërat e gjirit më të famshëm në botë Halong bay, ish-kryeqytetin antik Hue, qytetin e famshëm të fenerëve Hoi An, e për të përfunduar në Deltën e Lumit Mekong dhe Saigonin që është dhe qyteti më i madh i vendit.