Mbrojtësi i Italisë deklaroi se do të rinovojë me Juven, të hënën mbërrin në Torino

Ylli i Italisë Giorgio Chiellini konfirmoi se ai do të rinovojë me Juventusin dhe theksoi se ka uri për të ngritur të tjerë trofe. Mbrojtësi ka qenë pjesë e bardhezinjve në 17 vitet e fundit. Ai u transferua në vitin 2004 nga Livorno.

Kontrata e mbrojtësit që mbush 37-vjeç muajin e ardhshëm përfundoi më 30 Qershor me “Zonjën e Vjetër”, ndërsa ai ishte i angazhuar me “të kaltrit” në kampionatin europian.

Chiellini tha për mediat se ai javën e ardhshme do të bashkohet sërish me bardhezinjtë.

 “Të hënën do të jem në Torino për të rifilluar. Dua të ngre disa kupa të tjera, sepse oreksi vjen duke ngrënë dhe të veshësh një fanellë pa simbolin e skudetos në kraharor do të jetë një stimul më shumë. Më duhen edhe disa ditë pushim për të marrë veten nga kaosi i muajit të shkuar, por të hënën do të jem i lumtur të rinisem përsëri në Torino.”

Mbrojtësi italian ka zhvilluar 535 ndeshje me fanellën bardhezi dhe ka fituar 20 trofe, që janë 9 tituj në të Serisë A, 5 Kupa të Italisë, 5 Superkupa të Italisë dhe 1 titull të Serisë B.

Klan News