Konkurrenca: Përcaktimi i çmimeve çorienton konsumatorët rreth nivelit të arsyeshëm të çmimit

Autoriteti i Konkurrencës ka shprehur një qëndrim zyrtar lidhur me Bordin e Transparencës për përcaktimin e çmimeve të karburanteve në vend. Në vendimin që kishte objekt hetimin paraprak të tregut të naftës dhe benzinës, Komisioni i Konkurrencës, gjykon se, në një situatë normale, çmimet e fiksuara mund të kenë efekte negative në konkurrencë.

“Aurotiteti i Konkurrencës për herë të parë që nga krijimi i bordit ka reaguar duke e cilësuar si një deformim të tregut i cili sjell dhe çorientim të konsumatorëve”, tha gazetarja Ermelinda Hoxhaj

Organi drejtues i Autoritetit të Konkurrencës, Komisioni i Konkurrencës ka mbyllur procedurat e hetimit paraprak për tregtimit me shumicë të naftës dhe benzinës, ku vendosni se ndërmarrjet nuk duhet të bëjnë marrëveshje për përcaktimin e çmimeve. Në këtë hetim për herë të parë autoriteti ka reaguar edhe për Bordin e Transparencës, duke thënë se, në një situatë normale, çmimet e fiksuara mund të kenë efekte negative në konkurrencë.

“Çmimet e rekomanduara mund të ndihmojnë koordinimin e çmimeve midis konkurrentëve si pasoje e transparencës dhe mund të çorientojnë konsumatorët rreth nivelit të arsyeshëm të çmimit. Çmimet e fiksuara janë instrumente rregullatorë, por që kanë efekt për konkurrencën dhe reduktojnë përfitimet e konsumatorëve që janë rezultat i konkurrencës së tregut. Gjithashtu çmimet maksimale të fiksuara mund të mbrojnë konsumatorin nga çmimet e larta në treg, por krijojnë një mungesë të konkurrencës efektive”.

Komisioni i Konkurrencës nuk është shprehur i prerë në lidhje me përcaktimin e çmimeve maksimale të fiksuara në situatën aktuale, por ama në raport përcakton se subjektet duhet të kenë çmime të ndryshme.

“Duke qenë se marzhi i fitimit aplikohet mbi koston mesatare të ponderuar të produktit e cila është e ndryshme për ndërmarrje të ndryshme, rrjedhimisht dhe çmimi i shitjes mbi të cilin aplikohet marzhi duhet të jetë i ndryshëm midis konkurrenteve, por ky çmim nuk duhet të kalojë nivelin maksimal të përcaktuar nga Bordi i Transparencës”.

Por përgjatë këtyre 10 muajve që çmimet tavan të karburanteve përcaktohen nga Bordi i Transparencës shumica e kompanive të tregtimit me pakicë të karburantit dhe sidomos ato më të mëdha, nuk i ulin asnjëherë çmimet poshtë nivelit maksimal të përcaktuar nga Bordi.

Klan News