“Lindja e Mesme do ndryshojë plotësisht”, kështu ka deklaruar në “Opinion” eksperti i sigurisë Ermal Jauri. Sipas tij raketat e Iranit këtë të Martë në Izrael do pasojnë një sërë konfliktesh të tjera.


Por a ka një skenar pas këtij kaosi? Sipas Jaurit, synimi kryesor i Izralit është të çmontojë programin bërthamor të Iranit.

Ermal Jauri: Sa i përket bombardimeve, sot janë përdorur raketa balistike që kanë trajektore të ndryshme nga raketat normale, ose ato që quhen raketa terreni. Problemi i tyre është se ato kanë 3 mbushje deri në atmosferë dhe pastaj bien në rënie të lirë që e bën më të vështirë kapjen e tyre. Nga ana tjetër e gjitha situata në Lindjen e Mesme ka filluar prej dekadash, përshkallëzimi që në 2016-ën kur pati një krisje të marrëveshjes për programin nuklear. Kemi Blinken që ka deklaruar në Prill të këtij viti se sot Iranit i duhet një javë deri në dy për të ndërtuar një armë bërthamore.

-Mirë po si do ta çojë armën bërthamore se s’ka asnjë aftësi ajrore?

Ermal Jauri: Sot ke raketa që po bien mbi Izrael. Nëse një nga këto mbushje do të ishte atomike, çfarë pasojash do kishte?! Kështu që të gjitha luftimet apo konfliktet në Lindjen e Mesme me ato që quhen si organizata terroriste, në këndvështrimin tim kanë qenë për të vajtur në pikën finale që është Irani. Të çmontohet një herë e mirë programi bërthamor i Iranit. Sot është de facto që Lindja e Mesme do ndryshojë komplet terësinë  e saj pas këtij konflikti. Irani sapo deklaroi dhe gjuha e përdorur ushtarake ishte shumë e qartë, deklaroi se e bëmë kundërgoditjen për shkak të sulmit tuaj, atëherë cili është hapi juaj i radhës? Izraeli do kundërpërgjigjet dy herë më shumë dhe do kemi përshkallëzim të situatës. Hyrja në Liban e Izraelit nuk është për të pushtuar territorin, një synim ka që të largojë kërcënimin nga kufiri i saj.

/tvklan.al