“Masat kundër pandemisë të dobishme dhe efektive”

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka reaguar pas debatit politik mbi strategjinë e ndjekur deri me sot kundër pandemisë së Covid-19.

Në një deklarate për mediat pranohet se në vende të ndryshme ndiqen strategji të ndryshme për kufizimin e përhapjes së koronavirusit, por po ashtu pranohet se strategjia e përzgjedhur deri më tani nuk ka nevojë të rikonsiderohet.

“Komiteti Teknik i Ekspertëve vlerëson se masat e marra nga autoritetet shqiptare, kanë qenë tejet të dobishme dhe kanë patur efekte pozitive, të cilat duhet bërë kujdes maksimal, që të mos zhbëhen prej lehtësimeve që mund të rezultojnë të parakohshme.

Komiteti Teknik i Ekspertëve vlerëson se në kushtet e krijuara prej masave shtrënguese, puna hetimore në terren dhe rezultatet e saj, kanë qenë optimale deri në këto momente.

Edhe për këtë arsye, Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk sheh asnjë arsye për të rikonsideruar Planin tonë të paracaktuar Strategjik”

Reagimi që vjen pas debatit publik, vazhdon me kujtesën se në mungese të strategjisë që po zbatohet sot do të gjendeshim në kushtet e kolapsit të plotë të sistemit tonë shëndetësor. Në deklaratën për mediat, Komiteti Teknik i Ekspertëve siguron të gjithë qytetarët shqiptarë se udhërrëfyesi i vetëm, është ndërgjegjja profesionale, ndërsa dilemat janë pjesë e punës dhe përgjegjesisë që ka e gjithë bota.

Më herët, Partia Demokratike kishte përsëritur edhe kërkesën për të rritur numrin e testimet. Nga selia e PD edhe këtë të martë u tha se vetëm në këtë mënyrë mund të frenohet përhapja masive e rasteve të prekura me Covid-19.

Në përgjigje të kësaj kërkese kryeministri Rama i ka kujtuar demokratëve, se strategjia kundër pandemisë ishte përgjegjësi e Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Tv Klan