Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi, ka njoftuar se situata në bashkinë që ai drejton është emergjente si pasojë e motit të keq. Byberi njofton se prej dy ditësh në Tropojë ka rënë shi i pandërprerë i shoqëruar me stuhi dhe rrebeshe. Sipas tij, dëmet nga kjo situatë janë të mëdha.

Ai njofton se kanalizimet janë të tejmbushura. Gjendja më alarmante paraqitet në fshatin Vlad. Sipas Byberit përshkallëzimi i situatës në të gjithë territorin e bashkisë që ai drejton po shkon drejt një katastrofe natyrore.

“Shiu i pandërprerë prej dy ditësh shoqëruar me stuhi e rrebeshe po sjell dëme të mëdha në Tropojë. Ndodhem së bashku me stafin tim prej mesnate në Njësinë Administrative Bytyç ku po monitorojmë situatën. Jo vetëm rrugët, kanalizimet, janë të tejmbushura, por nga gërryerjet dhe shembjet e mëdha janë në rrezik banesat e qytetarëve. Gjendja më alarmante është në fshatin Vlad, por pothuajse në të gjithë territorin e Bashkisë përshkallëzimi po shkon drejt një katastrofe natyrore”, shkruan kreu i bashkisë Tropojë.

Byberi apelon institucionet përgjegjëse, por edhe banorët e Tropojës për kujdes të shtuar dhe solidaritet.

“Kujdesi më i madh duhet të jetë tek rezervuarët e tejmbushur të cilët rrezikojnë në raste si ky. Ne jemi e do të jemi pranë qytetarëve kudo ku janë në vështirësi me mjetet dhe burimet tona njerëzore që të përballojmë këtë situatë të rende e të papritur”, njoftoi Byberi./tvklan.al