Marash Kumbulla merr dritën jeshile, rikthehet në kampionat

Dritë jeshile për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla. Futbollisti i kuqezinjve që la fushën e lojës gjatë sfidës Angli-Shqipëri nuk do të mbetet jashtë për një kohë të gjatë. Ekzaminimet e kryera së fundmi konfirmojnë se Kumbulla nuk ka pësuar dëmtim muskular dhe mesa duket nuk ka asgjë serioze. Ka shanse që mbrojtësi të jetë i gatshëm për trajnerin Jose Mourinho që në sfidën e kësaj fundjave ndaj Genoas. Rikthimi i Kumbullës është i rëndësishëm për verdhekuqtë duke patur parasysh që Mourinho nuk ka në dispozicion Chris Smalling.

Pavarësisht kësaj, futbollisti i kombëtares shqiptare mbetet jashtë pëlqimit të teknikut portugez, i cili nuk mori sërish shenja pozitive nga paraqitjet e Kumbullës për shkak ai luajti vetëm për 17 minuta ndaj “Tre Luanëve”. Gabimet e 21-vjeçarit kur është hedhur në fushë kanë mbushur “kupën’ dhe Mourinho vijon të mos bindet nga cilësitë e tij. Sipas mediave italiane kjo ka ngjallur interesin e ekipeve të tjera, me Udinesen që i ka hapur derën për huazim.

Klan News