Opozita rikthehet tek strategjia e bllokimit të seancave plenare, por këtë herë me një qëndrim edhe më radikal. Nuk janë mjaftuar me hedhjen e sendeve në drejtim të kryetares së Kuvendit, ku nuk mungoi dhe një këmbë karrigeje, të cilat u shmangën nga objektivi me sukses nga punonjësit e Gardës.

Akti më ekstrem dhe i paprecedentë erdhi kur kryeparlamentarja njoftoi ndërprerjen e mandatit të deputetit Ervin Salianji, pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, që la në fuqi të enjten vendimin e Shkallës së Parë për ta dënuar me një vit burg për kallëzim të rremë për çështjen “Babalja”.

Të gjithë në rresht ata nxorën në oborrin e parlamentit ndenjëset e tyre dhe i vendosën zjarrin. Një simbolikë kjo, sipas tyre, për të treguar se nuk do të pajtohen me vendimet që sipas tyre Edi Rama po jep përmes drejtësisë së kapur për të burgosur dhe arrestuar eksponentët e opozitës.

E ndërsa flakët vazhdonin dhe punonjësit e Gardës po tentonin t’i fiknin, opozitarët u kthyen në sallën dhe penguan vijimin normal të seancës plenare.

Tensioni ishte i madh dhe disa herë gati u kthye në një përplasje fizike, ku protagonist ishte gjithmonë sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike.

Në këto kushte, pasi u tentua pas disa minutash pushim të arrihej normaliteti, seanca u ndërpre me paralajmërimin e kryeparlamentares.

Flamur Noka u përjashtua nga seanca, ndërsa pritet që gjatë javës të mblidhet Sekretariati i Etikës për të tjera ndëshkime, ndërsa opozita premton se nuk do të ketë normalitet deri në plotësimin e kushtit të tyre, qeveri teknike, që të organizojë zgjedhjet parlamentare. Kërkesa kryesore që do të kthejë në rrugë në 7 tetor demokratët, të cilët kanë paralajmëruar se do të nisin protestat e pandalshme kombëtare, e që do të shoqërohen me mosbindje civile.

Tv Klan