Nga e mërkura e deri në fund të javës, kujdesuni që të mos harroni çadrën në shtëpi pasi vendi do të përfshihet nga reshje dhe rrebeshe shiu. Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” thotë se më të rrrezikuara do të jenë zonat veriore që do të preken nga reshjet e denduara të shiut në krahasim me ato jugore.

Lajda Porja: Ka nisur me kthjellime, por realitivisht ftohtë pasi duke filluar nga e diela kemi pasur një front të ftohtë atmosferik që ka mbërritur nga Europa Veriore drejt Ballkanit dhe është ndjerë freskimi i motit. Sot moti do të jetë i kthjellët, vranësira të lehta dhe kalimtare, nuk pritet që të kemi reshje dhe parashikohet që në të njëjtën situatë atmosferike të jetë edhe dita e martë.

Dita e mërkurë shton vranësirat gradualisht duke bërë që në mbrëmjen e të mërkurës të kemi një sistem vranësirash që do të përfshijnë të gjithë territorin dhe pjesa e dytë e javës, pra nga e mërkura dhe deri në fundjavë, do të jemi në situatën tipike të vjeshtës, me vranësira, me reshje, me rrebeshe, stuhi të forta ere. Parashikohet që të premten dhe të shtunën të jenë të fokusuara reshjet, ku do të kemi dhe intensitete të larta. Më problematike mbetet situata në zonat veriore dhe pjesërisht në qendër dhe jugu do të ketë reshje më të pakëta.

Minimalet sot shënojnë 6 apo 7 gradë në zonat malore, maksimalet janë jo më shumë se 25 gradë. Dita e martë sjell një rritje të lehtë. Duke filluar nga e mërkura, edhe pse do të kemi prezencë të reshjeve, ngrohet moti dhe rriten temperaturat që do të shënojnë 27-28 gradë. Megjithatë, çadra me vete që nga e mërkura dhe deri në fundjavë duke përfshirë edhe fundin e javës që mbetet e paqëndrueshme. Muaji Tetor është parashikuar që të ketë prezencë të lartë të reshjeve, pra do të jetë një muaj mjaft i lagësht, temperaturat do të jenë mbi mesataren. Reshjet do të jenë më të shumta krahasuar me Shtatorin.


/tvklan.al