Një tragjedi e vërtetë është ajo që ka ndodhur në një autostradë në Bullgari. Një autobus me udhëtarë nga Maqedonia e Veriut është aksidentuar dhe më pas ka shpërthyer në flakë duke i marrë jetën të paktën 45 udhëtarëve nga Maqedonia e Veriut.

Raportohet se mes viktimave janë edhe 12 fëmijë, 2 prej të cilëve binjakë. Të paktën 7 persona mbetën të plagosur dhe të gjithë raportohet se janë me djegie në trup.

“Njerëzit janë në gjendje të rëndë kanë humbur familjarët”, ka thënë Maja Argirova, drejtuese e klinikës në Pirogov, aty ku u çuan të lënduarit.

Mediat maqedonase shkruajnë se agjencia që ka autobusin organizon udhëtime turistike dhe tregtare drejt Stambollit të Turqisë. Edhe më herët, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani ka thënë se viktimat ishin turistë që po ktheheshin në Shkup nga një udhëtim turistik në kryeqytetin turk.

Sipas informacioneve të para mendohet se në autobus po udhëtonin kryesisht persona të moshës së re.

Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Hetimeve në Bullgari, Borislav Safarov, se shkak i tragjedisë mund të jetë bërë një gabim i shoferit ose ndonjë problem teknik me autobusin.

Në vendin e ngjarjes ka shkuar ka shkuar ministri i Brendshëm, Bojko Rashkov së bashku me kryeministrin Stefan Janev.

Ata janë shprehur se shkaqet e aksidentit do të sqarohen gjatë hetimit. Sipas tyre, përveç autobusit të djegur kanë qarkulluar edhe tre autobusë të tjerë. Autobusi i fundit ka qenë ai që është aksidentuar.

Ministri Rashkov tha se trupat ishin “të bllokuar brenda dhe të shkrumbuar”.

“Pamja është e frikshme, e frikshme. Kurrë nuk kam parë diçka të tillë më parë,” u tha ai gazetarëve në vend.

Në Bullgari kanë ndodhur disa aksidente rrugorë vdekjeprurëse vitet e fundit. Ndër to ka qenë ai i ndodhur në vitin 2018  kur 17 turistë bullgarë kanë vdekur pas rrëshqitjes dhe rrokullisjes së autobusit, si pasojë e lagështisë./tvklan.al