“Babai u largua me një grua të panjohur dhe nuk e kam parë më”. Kështu u tha hetuesve të policisë në 15 Gusht Esmerald Balla në përpjekje për të fshehur një krim mjaft të rëndë. 23 ditë më pas, 62-vjeçari Enver Balla u gjet i pajetë në këtë pus, i vrarë me plumb pistolete.

Dhe autori i krimit është pikërisht djali i tij, që u përpoq të fshihte gjithçka. Ngjarja e rëndë brenda familjes u zbulua pas vënies në përgjim të familjarëve, pasi hetuesit dyshuan mbi versionin e 30-vjeçarit. Pas zhdukjes së babait u kthye nga Italia edhe djali tjetër, që u tha hetuesve se i kishin shkruar në Instagram nga adresa e një gruaje të panjohur, se babai kishte shkuar me pushime ndaj të mos e kërkonin.

Pas zbulimit të së vërtetës Esmerald Balla pranoi se ishte gjithçka dorë e tij. Shkak për krimin janë bërë 7 milionë e 500 mijë lekë të reja, kursime të familjes për të cilat djali i kishte marrë nga kasaforta e shtëpisë, ndërsa akuzonte babanë se ia kishte vjedhur ai. Sherri kulmoi në 13 Gusht në afërsi të stanit të tyre në arat e fshatit Shënavlash, ku 30-vjeçari e qëlloi babanë me këtë pistoletë që më pas e hodhi në një kanal.

Trupin e transportoi me një furgon duke e hedhur në këtë pus në një arë të fshatit, rreth 1 kilometër nga vendi i ngjarjes. I riu u dërgua në qeli ndërsa në pyetje janë duke u marrë familjarë dhe fqinjë për zbardhjen e plotë të rrethanave. Viktima jetonte me djalin pasi bashkëshortja ishte ndarë nga jeta përpara pak vitesh.  

Tv Klan