Disa zona të Tiranës po vuajnë mungesën e pastrimit. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se këtë javë, Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha zonat e pastrimit të qytetit, shërbim që deri dje kryhej nga kompanitë private, të cilat ditët e fundit, sipas tij, kishin braktisur punën si formë presioni për zgjatjen e kontratës.

“Tirana është e ndarë në 5 zona: zona qendrore, dhe zonat në veri, jug, lindje dhe perëndim. Në një nga zonat, operatori privat ka lënë detyrën. Një detyrë, të cilën duhet ta linte në datën 1 nëntor, siç e parashikon kontrata. Por, duke mos pasur interes që ta vazhdojë punën pas 1 nëntorit, e ka lënë që tani. Kjo shpjegon gjithë histerinë e pastrimit për një zonë të Tiranës. Megjithatë, jam kail t’i duroj edhe të sharat. U bënë 9 vjet që dëgjoj gjëra të tilla, por nuk do të dorëzohem kurrë, siç nuk jam dorëzuar kurrë ndaj presionit të askujt, as të ndonjë operatori që, duke lënë plehrat pa mbledhur, jashtë kushteve të kontratës, mendon se bën presion që Bashkia e Tiranës të mos e marrë zonën nën kontroll. Përkundrazi, na e ka shtuar zellin që bashkia ta marrë zonën nën kontroll edhe më përpara”.

Vetëm pak ditë nga nisja e vitit shkollor, Veliaj u ndal edhe tek puna që po bëhet në institucionet arsimore.

“Tirana e madhe metropolitane ka 400 institucione arsimore të cilat duhen trajtuar njësoj. Po kryejmë një proces pastrimi siç pastrohet një shtëpi para se të na vijnë miqtë; po ndërhyjmë në të gjitha territoret e shkollave tona, brenda dhe jashtë, para se të na vijnë miqtë e vegjël”.

Nga shkolla “Lasgush Poradeci”, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se krahasuar me 10 vite më parë, sot shkollat në Tiranë ofrojnë kushte me standarde.

Tv Klan