Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është shprehur i gatshëm të vizitojë të gjitha vendbanimet e serbëve në Kosovë nëse ia lejojnë ndërkombëtarët.

“Shkuarja atje nuk është çështje e zgjedhjes sime, por e vendimit të tyre. Do të shkoja jo vetëm në Mitrovicë, por edhe në të gjitha vendbanimet dhe fshatrat tona në Kosovë”.

Ai të mërkurën ka deklaruar se nuk është e vërtetë që institucionet serbe nuk funksionojnë në Kosovë, duke shtuar se dy më të rëndësishmet janë duke funksionuar, “shëndetësia dhe arsimi”.

Këto deklarata për funksionimin e institucioneve paralele serbe në Kosovë, ai i tha pasi më 30 Gusht, Policia e Kosovës, nën dyshimin për lëshim të dokumenteve të falsifikuara, ka mbyllur 5 objekte të komunave paralele në katër komunat veriore.

Të premten nga Policia e Kosovës u mbyllën zyra e Qarkut për Mitrovicë si dhe katër komunat paralele në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq, të gjithë në kuadër të sistemit të Serbisë.

Ky veprim është dënuar nga faktori ndërkombëtar, duke e quajtur operacionin si “të njëanshëm dhe të pakoordinuar”. Ndërkohë në  mëngjesin e së mërkurës janë parë forca të shtuara të KFOR-it italian mbi Urën e Ibrit, pjesëtarë të njësitit për shpërbërjen e demonstratave e që ka të bëjë me ushtrimet e rregullta.

Tv Klan