Situata në Vlorë është katastrofike për shkak të zjarrit në  vendgrumbullimin e mbetjeve prej mesditës të së enjtes. Punonjësit e bashkisë dhe të emergjencave civile janë në terren duke punuar për shuarjen e flakëve dhe izolimin e tymit. Për shkak të erës dhe temperaturave të larta situata bëhet edhe më e vështirë, pasi tymi ka pushuar gjithë qytetin e Vlorës dhe rrethinat.

“Them se është menaxhuar shumë mirë sepse kaq kemi në dorë ne, fuqia njerëzore kaq ka në dorë, patjetër edhe mjetet. Ka pasur erë gjatë gjithë kohës dhe era ndonjëherë nuk dihet ku e ka orientimin, një herë e ka drejt qytetit, një herë drejt Novoselës po të flasim për pjesën këtej apo në mes të qytetit, qoftë edhe nga zona e Zvërnecit. Puna vazhdon me intensitet të lartë me qëllim që ta vendosim sa më shpejt në normalitet këtë situatë të krijuar.”

Sipas kryebashkiakut të Vlorës personat që kanë vënë zjarrin duhet të marrin ndëshkimin e merituar.

 “Dëmi që vjen më pas për komunitetin dhe për qytetin është shumë i madh prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm ata që e sollën, nëse e bëjnë këtë gjë duhet të marrin edhe dënimin e merituar siç e parashikon ligji”.

Veç dëmtimit të imazhit turistik të Vlorës shqetësim janë dhe dëmet dhe kostot shëndetësore tek qytetarët. Por zgjidhja e vetme sipas kryebashkiakut është landfilli i Sherishtës.

“Ai është një investim ë është thuajse i mbaruar, ka 93% punimeve të mbaruar. Edhe me aq sa është atje ne mund ta kishim vendosur një qelizë në punë. Ka disa procedura ligjore që nuk janë në dorëë të bashkisë, bashkia e ka bërë pjesën e vet”.

Gjithsesi pas miratimit të vendimit të Këshillit të Ministrave landfilli i Sherishtës pritet t’i kalojë në administrim bashkisë së Vlorës.

“Ky VKM  është zbardhur dhe shpresojmë që shumë  shpejt të na kalohen ne kompetencat si bashki, gjë të cilën e kemi kërkuar edhe me forcë me qëllim që të vendoset sa më shpejt në punë landfilli i Sherishtës”.

Zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë e Vlorës, ka detyruar jo vetëm turistët të largohen por edhe banorët aty pranë, pasi ish-fusha e aviacionit është një zonë e banuar dhe tymi toksik rrezikon shëndetin e tyre.

Klan News