Sekuestrohen kubikë e pajisje për kultivimin

Një operacion i gjerë është zhvilluar në Durrës, Krujë dhe Pukë, kundër kultivimit të kanabisit. Mbi 500 kubikë e fidanë u sekuestruan, teksa u zbuluan pajisje për kultivimin dhe sipërfaqe të mëdha tokë gati për mbjellje.

59 lera me plastmas që shërbenin për grumbullimin e ujit, me qëllim kultivimin e bimëve narkotike, ishin ndërtuar në zona të thella malore.

Gjithashtu në zonat pyllëzuara në Krastë, Picrragë, Nikël e Barkanesh u gjetën edhe 41 sipërfaqe toke të hapura rishtaz për të kultivuar bimën narkotike.

Në zonën e Ishmit në Durrës policia ka gjetur 100 fidanë dhe një sipërfaqe toke gati për mbjellje, si dhe ka vënë në pranga 2 inspektorë pyjesh dhe ka proceduar penalisht kryeplakun.

Në Pukë është arrestuar një 27-vjeçar, pasi iu gjetën 400 kubikë me kanabis dhe dy armë zjarri. Gjithçka u zbulua me anë të dronëve të  policisë.

Burime të policisë bëjnë me dije se në disa qarqe, drejtuesit e rendit kanë marrë edhe vërejtje për rritjen e kultivimit të kanabisit. Pak ditë më parë kryeprokurori Olsian Çela deklaroi në komisionin e sigurisë se viti 2019 ka pasur rritje të kultivimit të lëndëve narkotike në krahasim me vitin 2018, dhe qarqet problematike janë ato të Krujës, Shkodrës, Vlorës dhe Gjirokastrës.

Tv Klan