Këngëtarja shqiptare po shijon bregdetin e jugut

Shqipëria është shndërruar në destinacionin e pushimeve, jo vetëm për turistët e zakonshëm, por edhe për shumë personalitete të artit, biznesit e politikës botërore.

Një prej tyre që ka zgjedhur brigjet shqiptare është edhe këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa.

Ka qenë vetë ylli i muzikës pop ajo që bëri të ditur lajmin teksa ndau në rrjetet e saj sociale edhe disa foto nga bregdeti i jugut, ku krahas tyre shkruan “Në shtëpi” shoqëruar me flamurin Shqiptar.

Kjo nuk është hera e parë që Dua Lipa zgjedh jugun e Shqipërisë për të kaluar pushimet, pasi edhe një vit më parë ajo kaloi disa ditë në plazhet e bukura të rivierës shqiptare, ndërsa shpesh herë përmes fotove që poston është bërë edhe një nga promovueset e përhershme e bukurive natyrore shqiptare.

Bredetin shqiptar për të kaluar pushimet e ka zgjedhur edhe vajza e madhe e ish-Presidentit Donald Trump, Ivanka Trump.

Ajo zgjodhi një nga perlat e jugut, Ksamilin, ndërsa gjeti kohën të vizitonte edhe disa nga atraksionet kulturore dhe historike të Tiranës.

Madje në një prej vizitave në shtëpinë e gjetheve ajo ishte në shoqërinë edhe të Kryeministrit Edi Rama.

Më herët në Tiranë ndaloi edhe motra e saj e vogël, Tiffany Trump, e cila u pa të darkonte në “Padam”, një prej restoranteve më të njohur të Tiranës.

Një tjetër personazh i rendësishëm që vizitoi Shqipërinë pak javë më parë ishte edhe Jack Ma, themeluesi i grupit Alibaba, një ndër biznesmenët më të mëdhenj të botës. Edhe ai zgjodhi restorantin Padam për të darkuar me disa bashkëpunëtorë të tij dhe një pjesë të stafit të ambasadës kineze. Vizita e tij u komentua si mjaft e rëndësishme, për shkak të disa projekteve që grupi Alibaba ka për ta shtrirë biznesin e tij në rajonin e Ballkanit.

Tv Klan