Brataj: Shkak, hapja e transportit publik dhe shkelja e masave

Java e fundit e Korrikut dhe e para e Gushtit pritet të arrijnë pikun e infektimeve nga covid. Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj thotë se shkak për këtë janë bërë lehtësitë e lëvizjes dhe hapja e shumë sektorëve, si ai i transportit publik.

“Dy-tre javët e ardhshme pritet të kemi një numër më të lartë infektimesh”.

I pyetur nëse vendi rrezikon mbylljen për shkak të koronavirusit, Brataj thotë se komiteti i ekspertëve në asnjë rast nuk rekomandon mbylljen e vendit pasi do kalonte në kolaps.

“Mund të ketë kufizime të pjesshme nëse del situata nga kontrolli, por jo mbyllje të vendit”.

Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Fieri vijojnë të jenë qytetet me numrin më të lartë të thirrjeve për covid në qendrën kombëtare të urgjencës.

Gjatë 24 orëve në Urgjencën Kombëtare regjistrohen rreth 2400 thirrje, 600 më shumë krahasuar me një javë më parë.

Tv Klan