Dy persona janë arrestuar nga autoritetet britanike, si autorë të dyshuar të vrasjes së një 35-vjeçari shqiptar në Tottenham të Londrës. Edmond Jonuzi, i njohur edhe me emrin Edmond Preci mbeti i vrarë mbrëmjen e 9 Qershorit pranë stacionit të metrosë Turnpike Lane të kryeqytetit britanik. Ai ishte goditur disa herë me thikë dhe ndërroi jetë në vendngjarje.

Sipas mediave britanike, dy personat e arrestuar janë të moshës 23 dhe 21 vjeç, megjithatë emrat e tyre nuk bëhen të ditur. Ata u arrestuan të enjten dhe lajmi për kapjen e tyre u konfirmua edhe nga Policia Metropolitane, në një postim në Twitter.

35-vjeçari Edmond Jonuzi jetonte në Londër. Nga ekzaminimi mjekoligjor rezultoi se shqiptari humbi jetën për shkak të goditjes me thikë. Hetimet për vrasjen e Jonuzit po kryehen nga detektivët e Komandës së Vrasjeve dhe Krimeve të Rënda në policinë e kryeqytetit britanik.

/tvklan.al