Dy termocentralet lundruese në Vlorë


Dy termocentralet lundruese në Vlorë

20:00 26/09/2022

Balluku: Me 114 megavat plotësojmë 15% të nevojave. Kim: Mbulon deri 200 mijë shtëpi

Nga Dhjetori ose fillimi i Janarit të vitit të ardhshëm do të vihen në punë dy termocentralet lundruese në Vlorë. Sipas parashikimeve, 19 motorët do të prodhojnë 114 megavat energji, duke mbuluar 15 për qind të nevojës të furnizimit për Shqipërinë.

Këto shifra u bënë publike nga zv/Kryeministrja Belinda Balluku gjatë inspektimit të përbashkët që realizoi me ambasadoren amerikane Yuri Kim brenda dy termocentraleve lundruese.

Sipas saj, kostoja e prodhimit të energjisë nga këto dy termocentrale do të jetë nga 170 deri në 200 Euro për megavat/orë. Pra më pak se gjysma e çmimit të 529 eurove që do të tregtohet në bursën ndërkombëtare në vitin e ardhshëm.

“Përveç faktit që do të prodhohet 15 % e nevojës vendase, ne do arrijmë të kursejmë rreth 60 % të sasisë së parave nga ajo që do të importohej për energjinë që na mungonte”, tha Belinda Balluku, zv/kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ndërsa ambasadorja amerikane Yuri Kim theksoi rëndësinë e termocentraleve lundruese, në një kohë kur bota është duke u përballur me krizën e energjisë.

“Nëse kjo funksionon si duhet të prodhojnë të paktën 114 megavat. Në terma mesatarë do të thotë 150-200 mijë shtëpi që do të funksionojnë falë këtyre anijeve”, tha Yuri Kim, ambasadore e SHBA-ve në Shqipëri.

Numri dy i qeverisë, Balluku u kundërpërgjigj dhe akuzave të opozitës për këto dy termocentrale duke theksuar se ato janë brenda të gjitha parametrave dhe standardeve ndërkombëtare.

“Synimi ynë është që këto dy anije lundruese të kthehen në anije prodhuese përmes LNG-së. Nga marrëveshja paraprake me “Excelerate Power” synojmë në fund të 2-vjeçarit të kemi në pronësi të KESH-it të dy anijet”, u shpreh Balluku.

Ministrja Balluku zbuloi se për marrjen e dy termocentraleve kanë qenë në garë me Gjermaninë, por kompania amerikane, falë dhe ndërhyrjes së ambasadores amerikane, vendosi t’i dërgojë ato në Shqipëri.

Tv Klan












Të ngjashme