Një qytetare e diagnostikuar në Turqi me kancer mitre apo ovarian të avancuar thotë se ka nisur trajtimin me medikamentin Lynparza. Kur është kthyer në Shqipëri, është drejtuar në shërbimin e  onkologjisë ku i kanë thënë se nuk e disponojnë këtë medikament. Sot ajo detyrohet të shkojë jashtë dhe ta blejë, pasi nuk mund të ndryshojë protokollin.

Emisioni “Stop” në Tv Klan iu drejtua shërbimit onkologjik në QSUT ku u informua se nuk e kanë fare të regjistruar ilaçin në fjalë.

Qytetari: Si kalove? Kam një njeriun tim, që është duke u kuruar në Turqi, është me kancer në vezore edhe i kanë dhënë një ilaç ata. Dua të di domethënë, në qoftë se ne i hapim kartelë, e merr dot këtë ilaçin se vetëm këtë kishte problem.

Doktoresha: Olaparibi nuk është në Shqipëri.

Qytetari: Po ka ndonjë të ngjashëm?

Doktoresha: Si ky, jo.

Qytetari: Se ka akoma ca, e kupton, po doja…

Doktoresha: Shyqyr që ka, po nuk është në Shqipëri.

Qytetari: I morëm në Turqi këto.

Doktoresha: Nuk është në Shqipëri. Hë, është i regjistruar në Shqipëri Olaparibi?

Doktoresha  1: S’e di.

Doktoresha: Dhe as nuk e di në qoftë se është i rimbursuar, i regjistruar se ne në spital nuk kemi pasur.

Por nga ana tjetër, në farmaci private shpjegojnë se mund ta gjejnë këtë medikament që sipas farmacistit është tepër i kushtueshëm.

Qytetari: Lynparza është një ilaç i tillë.

Farmacia: Ça do? Lynparza?

Qytetari: Po!

Farmacia: Është me rimbursim.

Qytetari: Është me rimbursim kjo?

Farmacia: Po! Ajo kushton një djall e gjysmë. Ajo është 40 mijë lekë kokrra. Ne ta gjejmë nuk është problem po. 56 tableta, që ka kutia të vete 3 milionë lekë, vëlla.

“Stop” shkon edhe në farmacinë e spitalit ku mëson se medikamenti nuk është në gjendje.

Qytetari: Interesohem për këtë ilaçin.

Farmacia: S’e njof, nuk ka. Këtu tek ne, jo.

Qytetari: Po më thanë merret me rimbursim, prandaj, se dua të hap kartelë.

Farmacia: Këtu jo! Mos është në farmacinë e lagjes me rimbursim, se kemi dhe ne me rimbursim ka dhe lagja. Këtu tek ne jo, tek kjo farmaci, jo.

Qytetari: Vajta te farmacia, që të blija një tabletë, më thanë që është me rimbursim në spital.

Farmacia: Këtu tek ne, jo. Ky është rimbursimi spitalor, që kemi ne./tvklan.al