“Ti e di që jo Jorida Tabakun, por Zotin ta çojnë atje, PD-në nuk e lënë të marrë votat”, kështu i është kthyer gazetari Armand Shkullaku analistit Baton Haxhiu pasi ky i fundit kritikoi opozitën që nuk ka vendosur figura femërore në listën për drejtuesit e qarqeve.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Shkullaku thotë se në PD duhet të ketë kriter rezistence pasi shton se regjimi nuk mundet dot me votë.

Baton Haxhiu: Gratë më të efektshme në betejën me bandat, janë të mbrojtura se janë gra, ka ndjeshmëri ndaj tyre nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga ambienti. Është shansi i vetëm që PD ta fitojë betejën me qytetarinë. Problemi kryesor nuk është tek votat e meshkujve, problemin e keni tek votat e femrave dhe nuk e di a keni vepruar mirë dhe duhet ta përmirësoni listën e deputetëve. Ta vendosni Tritan Shehun, Bujar Leskajn para Jorida Tabakut është shkarje e madhe serioze.

Armand Shkullaku: Kjo nuk ka logjikë. Ti e di që ai e ka shkruajtur rezultatin e zgjedheve përpara, thotë do të merrni mandate sa në 97-ën. Ti e di që jo Jorida Tabakun, por Zotin ta çojnë atje, nuk e lënë të marrin votat. Dhe në një vend ku nuk ka zgjedhje të lira, nuk komandohet procesi i barabartë.  

Iris Luarasi: Kjo është skuadra e humbësve atëherë.

Armand Shkullaku: Në një vend ku nuk funksionon demokracia përfaqësuese, nuk ka demokraci. Të flasësh për përfaqësim është absurd. Duhet të kishte kriter për mua PD-ja një grup rezistence. As këta për mua nuk janë grup rezistence sepse PD-ja duke ndjekur gjithë këtë debatin, ka kaluar dhe ajo në skizofreni. Mendon se duke pasur Agronin, Belindin, do të marrë vota. Nuk ka zgjedhje, vër kë të duash. Në një vend policia, pushteti, parlamenti, qeveria, 60 bashki i ke të gjithë në këmbë për të grabitur votën e njerëzve, në një vend ku guxon të fitojë opozita, e plasin në burg kryetarin e bashkisë. Nëse doni t’i jepni PD-së nga këto dhe t’i thoni që po nuk patët nga këto, po nuk patët gra në karrierë nuk fitoni dot, kjo është skizofrenia më e madhe. Të vënë kë të duan, këta nuk fitojnë dot me Ramën. Nuk mundet regjimi me votë.  


/tvklan.al