Edhe Banka e Shqipërisë përkeqëson vlerësimin për ekonominë



Edhe Banka e Shqipërisë përkeqëson vlerësimin për ekonominë

20:07 07/10/2020

Sejko: Recesioni 7.6%, politika monetare do të mbetet lehtësuese

Edhe Banka e Shqipërisë ka përkeqësuar vlerësimin për rritjen ekonomike të vendit tonë për këtë vit. Guvernatori Gent Sejko tha se në projeksionet aktuale, ky vit do të mbyllet me një recesion 7.6%, ndërsa edhe gjysma e dytë e vitit do të ketë një zhvillim ekonomik në territor negativ, për të nisur ringritjen në vitin 2021.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qëndrore e sheh situatën e pandemisë si një nga sfidat më të mëdha në ekonomi gjatë dekadave të fundit, e mbuluar nga pasiguri të shumta. Pavarësisht kësaj situate, norma bazë e interesit të lekut do të vazhdojë të mbetet në nivelin 0.5%, me synimin për ta lehtësuar më tej në të ardhmen.

Guverantori i konsideroi si të domosdoshme nismat e qeverisë për uljen e taksave të biznesit në këto kushte, ndërsa tha se pas përfundimit të pandemisë duhet të punohet për uljen e borxhit publik.

Në vlerësimet e Bankës së Shqipërisë, sektori bankar është i qëndrueshëm dhe u ka rezistuar goditjeve, ndërsa kredia e re ka shënuar rritje edhe në periudhën e pandemisë.

Tv Klan




Të ngjashme