Gatishmëria e lartë vjen pas incidentit të vitit të kaluar me aktorin Smith

Na ndajnë pak ditë nga ngjarja më e rëndësishme kinematografike në botë.  Për ditën e shënuar organizatorët e ceremonisë së 95-të të çmimeve Oscar po përgatiten në detaje.

Ata janë të përgatitur për çdo skenar të mundshëm. Gatishmëria e lartë e organizatorëve vjen pas shuplakës  së bujshme të aktorit Will Smith ndaj Chris Rock, ngjarje e cila ndodhi vitin e kaluar.

Për herë të parë, Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka krijuar një ekip krize për t’iu përgjigjur çdo incidenti të mundshëm.

Pas ngjarjes, organizatorët e Oscar u kritikuan ashpër që lejuan Smith të qëndronte në audiencë dhe të pranonte  më pas çmimin për aktorin më të mirë.

Vetë Smith nuk do të jetë i pranishëm në ceremoninë që pritet të mbahet të Dielën. Atij iu ndalua pjesëmarrja në këtë ngjarje për 10 vjet.

Në teatrin Dolbly aty ku edhe mbahet ceremonia e Oscar siguria pritet të jetë e lartë. Forcat e rendit do të jenë të pranishme rreth teatrit dhe tapetit të kuq. Oscar do të transmetohet në rrjetin televiziv  ABC ndërsa prezantues është zgjedhur Jimmiy Kimmel.

Klan News