Mediat: 34-vjeçari Ergys Dashi u qëllua në restorant

Një 34-vjeçar shqiptar është ekzekutuar në një atentat mafioz në një provincë të Guajakil në Ekuador. Mediat vendase raportojnë se viktima është identifikuar si Ergys Dashi.

Ngjarja ka ndodhur në restorant rreth orës 19:00 të mbrëmjes së të shtunës. Sipas të njëjtave burime, autorët kanë qenë 2 persona, njëri prej të cilëve mbante të në dorë një buqetë me lule ndërsa tjetri ka shpërqëndruar punonjësit e restorantit duke kërkuar kartën e vaksinimit.

Autorët i janë afruar tavolinës së shqiptarit dhe njëri prej tyre ka qëlluar me pistoletë të paktën 20 herë. Shqiptari humbi jetën menjëherë për shkak të plagëve të marra në kokë. Nga plumbat u plagos edhe një vajzë 26-vjeçare që ishte ulur në një tavolinë pranë vendit ku ndodhej shqiptari, por ajo është jashtë rrezikut për jetën. Më pas autorët u larguan me një motor dhe për të krijuar konfuzion kanë qëlluar në ajër edhe në zonën e parkimit.

Mediat ekuadoriane që citojnë burime zyrtare thonë se viktima kishte pasur lidhje me trafikun e drogës. Kohët e fundit nuk kanë qenë të pakta rastet e përfshirjes së shqiptarëve në luftën mes karteleve të drogës në këtë vend nga kanë ardhur një sërë ngarkesash me kokainë të zbuluara në portin e Durrësit. 

Tv Klan