Banorët e përshkruajnë si një skenë tmerri ku një aeroplan u rrëzua në qytetin brazilian të Vinhedo duke i marrë jetën 61 personave në bord.

Sipas tyre momenti i rrëzimit ishte një horror i vërtetë.

Jose Carlos Pereira, banor: Aeroplani kaloi mbi ne, rrezikoi të binte mbi shtëpinë tonë, filloi të zbriste e të zbriste, dhe ne thamë ‘Po bie, po bie!’ Kur e pamë sërish avionin, ai ishte rrëzuar. Flakët u përhapën gjithandej dogji gjithçka. Ishte një skenë tmerri, e tmerrshme. Ne iu lutëm Zotit që të mos binte në shtëpinë tonë.

Mes viktimave, 57 janë pasagjerë dhe 4 anëtarë të ekuipazhit. Avioni ra në një zonë të banuar me vila dhe shpërtheu në flakë, por pa shkaktuar lëndime tek banorët vendas.

Shkaqet e tragjedisë mbeten të paqarta, ndërsa hetuesit po analizojnë kutitë e zeza që tashmë janë gjetur. Avioni u nis nga aeroporti i qytetit jugor të Kasavelit në mesditë dhe humbi kontaktet gjatë udhëtimit.

Mjeti fluturues i markës franko-italiane ATR ishte prodhim i vitit 2010 dhe ishte vlerësuar si në gjendje të mirë, pasi i kishte kaluar rregullisht kontrollet teknike. Në hetime kanë pranuar të bashkëpunojnë edhe ekspertë të firmës prodhuese.

Ekspertët e aviacionit e kanë cilësuar rrëzimin si një rrotullim të sheshtë para se të binte në një lagje banimi pranë Sao Paulo në Brazil. Pamjet e filmuara nga banorët vendas tregojnë se mjeti fluturues bie duke lëvizur në një trajektore në formë spiraleje.

Lëvizja e pazakontë e avionit përpara se të godiste tokën ka ngjallur kuriozitet në mesin e ekspertëve të aviacionit, duke bërë që disa të spekulojnë se aeroplani mund të ketë pësuar avari në motor, por hetuesit kanë bërë të ditur se do të duhet shumë kohë që të dali një përfundim i saktë.  Përplasja është më vdekjeprurësja e Brazilit që kur 199 njerëz u vranë në 2007.

Klan News