“Virxhili nuk po më përgjigjej nëse kishte njerëz të tjerë në dhomë, më pas e qëllova disa herë në kokë dhe trup duke i shkaktuar hemoragji.”

Kështu ka deklaruar përpara oficerëve të policisë së Tiranës, 78-vjeçari, Zyhdi Shehi autori i vrasjes së shokut të tij Virxhil Vesho 82 vjeç, në ambientet e një azili privat. Rrëfimin e krimit, Shehi për policinë, e bëri në praninë e një psikologu.

“Pasi pimë ilaçet u shtrimë për të fjetur gjumë dhe në mesnatë u ngrita për të shkuar në banjo. Pasi u futa në dhomë, dëgjova zëra dhe të bërtitura dhe pashë se Virxhili ishte shtrirë. E pyeta kush po bërtet dhe i kërkova të fliste nëse kishte njeri në dhomë, por ai nuk m’u përgjigj. Në atë moment kam filluar ta godas në kokë dhe trup disa herë. Më pas i fola sërish duke i thënë nëse do flasë apo jo, aty mu përgjigj me dy-tre fjalë dhe e godita sërish me karrigen që gjendej aty. Nga ai moment nuk mbaj mend çfarë ndodhi.”

Për këtë ngjarje në pranga kanë përfunduar dhe dy infermieret e azilit, Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi, 31 dhe 26 vjeç, të cilat akuzohen se kanë kryer veprime që kanë penguar zbulimin e së vërtetës.

Në deklarimet e saj 31-vjeçarja, shprehet se Virxhili Vesho flinte në një dhomë tjetër, por atë natë ishte zhvendosur tek dhoma e Zyhdi Shehut.

Nuk është e mundur që gjatë natës të hyjë ndonjë pacient nga një dhomë ne tjetrën. Virxhili flinte në një dhomë tjetër dhe mbrëmë ka qenë tek dhoma  Zyhdi Shehit. Ata kishin fjetur dhe herë të tjera në një dhomë e nuk kishin pasur probleme.”

Referuar dosjes hetimore që Tv Klan disponon, dy infermieret kanë konstatuar ngjarjen rreth orës 3.13 të mëngjesit të së enjtes dhe pasi kanë lëvizur trupin e viktimës, hequr rrobat e tij, pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë lajmëruar punonjësit e agjensisë funerale dhe jo policinë.

Këta të fundit janë lajmëruar rreth 1 orë e 12 minuta më vonë, pasi punonjësit e agjensisë funerale kanë konstatuar se trupi i viktimës kishte shenja dhune.

Tv Klan