Një automjet që transporton karburant është përfshirë nga flakët në një pikë karburanti në autostradën Durrës-Tiranë, ditën e sotme rreth orës 14:00.

Si pasojë e ngjarjes, është lënduar 20-vjeçari me iniciale Xh.K., banues në Kamëz dhe 35-vjeçari me iniciale E.P. (të dy punonjës të karburantit), të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse dhe Policisë ka izoluar flakët duke shmangur përfshirjen nga zjarri të çisternave me karburant. Shërbimet e Policisë evakuan në kohë, personat e tjerë që ndodheshin rreth zonës në rrezik.

Zjarri është shuar tërësisht dhe lëvizja e mjeteve në të dy krahët e autostradës po vijon normalisht. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./tvklan.al