Zv/Ministri i Brendshëm ishte në komisionin e posaçëm kuvendor për të dhënë hollësi mbi ecurinë e procesit të hartimit të regjistrit kombëtar elektronik, si dhe pajisjen e shtetasve me dokumentet e reja të identifikimit.

Pone tha se puna me regjistrin përfundon në Tetor dhe që prej datës 15 të po këtij muaji nis pajisja e shtetasve me numrat e identitetit, proces që është parashikuar të përfundojë në datë 15 Nëntor.

Prej Janarit 2009 nis pajisja e shtetasve me karta identiteti dhe këtu Pone theksoi se gjithçka do të arrihet në kohë parë në raport me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por si element i ri në prezantimin e zv/Ministrit të Brendshëm ishte ai për miratimin e një vendimi qeverie që detyron shtetasit shqiptarë të pajisen me karta identiteti, megjithatë përfaqësuesit e opozitës janë shfaqur skeptikë me të gjitha afatet e paraqitura nga Pone.

Fatmir Xhafa e lidhi shqetësimin e tij kryesisht me pajisjen e emigrantëve me dokumentet e rinj të identifikimit.

Fatmir Xhafa: “Precedenti i zbatuar deri tashi që një muaj para të kemi listën e zgjedhësve dhe nga ajo çfarë kuptohet këtu ne do të duhet o ta modifikojmë o të vëmë një dispozitë tranzitore sepse nuk realizohen. Si do të bëhet pastrimi i dublikimeve? Marr vetëm një element, atë që u tha për emigrantët. Kjo nuk është një gjë që nuk bëhet me faktin që një shtetas për të, ka dy momente që duhet të paraqitet, një që të aplikojë dhe një për ta tërhequr. I bie dy herë të vijë. Imagjinojeni këtë për një emigrant që veç vullnetit në ligj, nuk ka asnjë mundësi tjetër praktike.”

Ferdinand Pone:“Ne sot kemi një bazë kombëtare të plotë dhe ne televizionet që përditësojmë përditë. Mund ta nxjerrim listën e zgjedhësve nëse doni për një orë, jo për tre muaj siç ishte në kodin e parë. Unë nuk thashë në asnjë vend që ne do t’i pajisim emigrantët atje ku janë. Kur hyjnë në republikën e Shqipërisë do t’iu luteshim shumë, ndoshta mund të vendosim dhe masa obliguese që përpara se të dalin të bëjnë aplikimin.”

Kryetari i komisionit, Rusmali, u kujdes të sqarojë për gazetarët një vendim të marrë tashmë nga komisioni i reformës elektorale mbi dokumentet që nevojiten për votim, përjashtuar certifikatat në 2009-tën votohet me karta identiteti dhe me pasaportat aktuale, kur këto të fundit janë brenda afateve të vlefshmërisë së tyre./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi