Agjencia e Shërbimeve Arsimore ka publikuar raportin në lidhje me rezultatet e maturës shtetërore. Për ekspertët e arsimit shqetësim mbetet fiktiviteti i notave dhe diferenca e vlerësimit vjetor me rezultatet e maturës. Mbi 3300 maturantë kanë patur diferenca nga 3 deri në 5 nota.

Aurora Balliu: Sipas raportit të maturës shtetërore, nota mesatare në nivel kombëtarë në Provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë është 7, ndërkohë që vlerësim më të lartë kanë patur nxënësit në Mallakastër me mbi 7.5, Shijak, Has, Rrogozhinë Kavajë dhe Tiranë. Nota mesatare në provimin e matematikës në nivel kombëtar është 6.4, ndërkohë që nxënësit me rezultate më të larta janë në Has me mesatare mbi 8.6, më pas renditet  Kavaja, Gramshi, Kukës, Kurbini dhe Tropoja.

Ndërsa notat më të ulëta për të dy këto provime janë evidentuar në Vaun e Dejës, Klos, Skrapar dhe Bulqizë.

Sipas ministres së arsimit, shkaktar për fiktivitetin e notave është bërë edhe përcaktimi i notës mesatare hyrëse në universitete.

Evis Kushi: Matura për vitin 2022 pritet të ketë ndryshime, duke nisur që nga mënyra e hartimit të pyetjeve, me përzgjedhjen e testit përfundimtar.

Klan News