Për të shuar zërat në lidhje me firmat e delegatëve që kërkojnë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, hapi zyrën e tij për të treguar se aty janë dërguar 4200 firma. Përveç gazetarëve, Paloka tha se edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike mund të vijnë dhe t’i verifikojnë firmat e delegatëve.

“Unë kam detyrimin përderisa kam deklaruar që ditën e parë që kam marrë në dorëzim 4200 formularë, kame detyrimin që t’ua vërtetoj kujtdo, gazetarëve por edhe përfaqësuesve të PD. Këtu janë dorëzuar 4200 formularë ditën e parë. Janë këtu për këdo që do t’i verifikojë. Ka ardhur një pjesë shtesë dje nga firmëtarët. Dua edhe njëherë ta theksoj, kush do ta verifikojë janë apo jo 4200 formularë në zyrën time, te vijë dhe ta verifikojë. Pjesa tjetër? Aty, siç e patë në formular, përveç gjeneraliteteve është dhe pozicioni që mban çdo delegat. Statuti e ka të përcaktuar qartë se kush është delegat”, tha Paloka.

Kryetari i Këshillit Kombëtar sqaroi se nëse këta formularë janë të vërtetë kjo sqarohet në Komisionin e Mandateve. Sipas tij, nëse nuk e ngre kryetari i partisë atë e ngrenë nismëtarët.

Paloka tha se nuk mund të bëhen publike të dhënat e formularëve dhe se vërtetësia e tyre do të verifikohet ditën e Kuvendit.

“Ne jemi në krizë, PD nuk i vlen të diskutojë nëse firmat u dorëzuan një orë më parë ose një orë mbrapa”, tha Paloka.

/tvklan.al