Franca do të zhvillojë një eksperiment për të ndaluar celularin në shkolla për nxënësit deri në moshën 15-vjeçare.
Eksperimenti do të shtrihet fillimisht në rreth 200 gjimnaze. Nxënësve deri në 15 vjeç do t’u kërkohet që t’i dorëzojnë celularët kur shkojnë në shkollë.
Qeveria franceze e konsideron këtë nismë si një “pushim dixhital”. Nëse eksperimenti rezulton i suksesshëm, atëherë kjo iniciativë do të shtrihet në të gjitha shkollat e Francës duke nisur nga muaji Janar.
Një komision i ngritur nga Presidenti Emmanuel Macron shprehu shqetësimin se ekspozimi i fëmijëve ndaj ekraneve të celularëve ka efekt të dëmshëm në shëndetin e tyre.
Një raport prej 140 faqe i botuar në muajin Mars nga ky komision, doli me një konsensus të gjerë mbi efektet negative të përdorimit të celularëve nga fëmijët.
Sipas këtij raporti, fëmijëve nuk duhet t’u jepet celular të paktën deri në moshën 11 vjeç, nga mosha 11-13 vjeç celular pa akses në internet dhe nga mosha 15-vjeçare mund t’u jepet celular me internet por pa akses në rrjetet sociale.
Raporti sugjeroi gjithashtu se fëmijët deri në moshën 3-vjeçare nuk duhet të ekspozohen fare ndaj pajisjeve dixhitale për shkak se nuk janë të nevojshme për zhvillimin e shëndetshëm të tyre.
/tvklan.al