Grupet nacionaliste pritet të zgjerojnë shtrirjen e tyre në zgjedhjet rajonale të kësaj të Diele në Gjermani, një tregues edhe për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.

Sipas sondazheve, Alternativa për Gjermaninë, një parti me drejtues nostalgjikë për periudhën naziste me qasje jo-armiqësore ndaj Rusisë së Vladimir Putinit, pritet të renditet e para në shtetin federal të Tyringjisë. Në këtë shtet, nacionalistët e djathtë ekstremistë kanë 8% avantazh ndaj kristiandemokratëve në opozitë dhe 23% ndaj socialdemokratëve që drejtojnë qeverinë e vendit.

Ndërsa në shtetin lindor, në Saksoni, Alternativa për Gjermaninë renditet e dyta, por me një diferencë brenda marzhit të gabimit, me 2%. Në të dy këto shtete federale, sondazhet nxjerrin në vend të tretë Aleancën Sara Vagenkneht, një parti nacionaliste e majtë euroskeptike e themeluar në Janar të këtij viti.

Në të dy këto shtete, socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz rrezikojnë të marrin pak ose asnjë deputet në parlamentet rajonale, duke pësuar kështu disfatën më të rëndë në histori. Ndikim kryesor në ekstremizimin e politikës ka kriza e emigrantëve ilegalë që vazhdon prej më shumë se 10 vitesh dhe s’po merr zgjidhje, si dhe kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia dhe lufta ruse në Ukrainë.

Tv Klan