Kryeredaktori i “British Vogue” thotë se humbja e shikimit është frika e tij më e madhe.

Edward Enninful, i cili ka vuajtur nga problemet e shikimit për pjesë më të madhe të jetës së tij, ka bërë 4 operacione në vitet e fundit, njëri prej të cilëve për retinën e shkëputur.

Për shkak të kësaj gjendjeje iu desh të kalonte javë të tëra duke parë dyshemenë, me kokën ulur. Në një intervistë me “BBC News”, Enniful gjithashtu zbuloi se nuk kishte folur me të atin për 15 vite. Autobiografia e tij  publikohet javën e ardhshme, por ai rrëfeu edhe se kishte kaluar 14 vjet në programin e Alkoolistëve Anonimë.

Ai vuan nga talasemia, e cila i shkakton shpesh dhimbje të forta dhe për të cilën ka kryer disa transfuzione gjaku para se të zhvendosej nga Ghana në Britani në moshën 13-vjeçare.

I  pyetur nëse kishte frikë për humbjen e shikimit, Enninful u shpreh: “Është frika ime më e madhe”.

Nuk kam pasur kurrë shikim të mirë. Kam pasur gjithnjë syze me numër minus 10 dhe katër shkëputje të retinës që nevojitet ndërhyrje kirurgjikale. Më pas tre javë duke parë dyshemenë në një dhomë të errët dhe pa e ngritur kokën. Po, ishte shumë e fortë psikologjikisht”.

Mes të tjerash, ai shton se nga ana tjetër ka mësuar nuk i nevojitet një shikim i përsosur. “Nuk të duhet shikim i përsosur për të krijuar. Kjo është ironia e saj: ndonëse nuk shoh mirë, kam aftësinë të krijoj imazhe me të cilat njerëzit lidhen”.

Për shumë kohë, në industrinë e modës dhe medias është folur se Enninful është favorit për të zëvendësuar Anna Wintour, kryeredaktoren e “American Vogue” kur ajo të dorëhiqet. Wintour është 72 vjeçe dhe e ka mbajtur këtë pozicion prej vitit 1988./tvklan.al