Bëri bujë disa ditë më parë lajmi se në Elbasan po projektohet për t’u ndërtuar një automotopark. Kryeministri Edi Rama është ndalur mëngjesin e kësaj të hënë në këtë ëndërr ku thotë se ka hyrë në rrugën e realizimit. Autoparku modern, sipas Ramës, është projektuar në bashkëpunim me FIA-n.

“Mirëmëngjes, dhe me një tjetër ëndërr nga ato që kanë hyrë në rrugën e realizimit, Autoparkun ultramodern të Elbasanit, projektuar në bashkëpunim me FIA-n, nën udhëheqjen e drejtorit të Transportit Rrugor Shqiptar, Blendi Gonxhe, e kujdesin e Presidentit Jean Todt, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.

Postimin e tij, kreu i qeverisë e shoqëron me video nga projekti 3D i pistës. Në të thuhet se automotoparku do të ketë Akademi Kombëtare të Edukatës dhe Sigurisë Rrugore, një muze për makinat retro, pistë offroad, poligon profesional manovrash drejtimi dhe qendra e test-homologimit, kartodromi i parë i homologuar ku do të presë gara kombëtare dhe ndërkombëtare, akademi motorsporti, pistë për heliport si dhe do të vendoset edhe Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor në Elbasan, ku do të ketë edhe qendrën e re të koalidimit.

Deputeti Taulant Balla, deklaroi disa ditë më parë se kishte zhvilluar një takim me pjesëmarrjen e drejtuesve të DPSHTRR dhe të FIA-s mbi këtë çështje.

“Cirkuiti i parë shqiptar me pistë 5 km dhe një sipërfaqe prej 500,000+ m2 në qytetin e Elbasanit sipas standardeve të FIA, FIM dhe CIK! Edhe si qendër eventesh indoor dhe outdoor, muze e atelier RETRO, drag strip me gjatësi 1.2 km në kushte sigurie, autodrom dhe kartodrom i parë i homologuar, akademi motosporti dhe akademi edukimi mbi sigurinë rrugore, poligone profesionale testimi, pistë offroad, helipad dhe zonë sportive mjetesh ajrore ultra të lehta”, shkruante Balla

Ndërkohë drejtuesi i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja, shkruante se: “Formula 1 në Shqipëri? Think BIG! Ëndrrat nuk realizohen nëse nuk synojmë LART”, shkruan ai./tvklan.al