Shumë shpejt do të hidhet shorti për ndarjen e apartamenteve në lagjen “5 Maji” për 400 familje të prekura nga tërmeti i 2019-ës. Kështu u shpreh kryetari i bashkisë Erion Veliaj, teksa inspektoi punimet në godinën e 12-të. Për Veliajn kjo është lagjia e parë në Tiranë, ku hapësirat i kushtohen vetëm njerëzve, ndërsa vuri theksin tek cilësia e lartë e punimeve me infrastrukturë moderne.

“Është një ditë e bekuar për të gjithë ata qytetarë të duruar, të mirëkuptueshëm, që kanë pritur për banesat e tyre tek “5 Maji”. Edhe për mua ishte një habi e jashtëzakonshme, nuk e prisja të ishte punuar me cilësi, por ky kompleks i ngjan një zone që as privati nuk e bën dot kaq mirë, me kaq dashuri dhe cilësi. Shikoj se si është kuruar çdo apartament, me lulishten gati për t’u mbjellë, me ndriçim led nga brenda, me hapësira të mjaftueshme në ballkon dhe dritare, tamam sikur kemi krijuar një fole për familjet.”

Kryebashkiaku tha se ndihet i keqardhur që edhe në këtë proces u përfshi politika, ndërsa shtoi se edhe ata banorë që nuk kishin legalizime dhe u përdorën nga kundërshtarët politikë do të përfitojnë nga ky projekt.

“Ndihem shumë i keqardhur që edhe këtu u fut politika, me ato cicmicet e veta, duke na penguar. Të gjithë do marrin shtëpitë e tyre. Edhe ata që u përdorën nga politika dhe që në emër të partisë bllokuan 2-3 vite këtë projekt, do të marrin këto mjedise këtu, me vlerë të jashtëzakonshme krahasuar me barakat që kishin. Asnjë nuk po sheh teserat e partisë, por është turp i madh që futet politika.”

Ndërkohë Bashkia e Tiranës ofron dhe bonus strehimi për familjet e prekura gjer në marrjen e banesave të reja.

Tv Klan