Erdogan ka shprehur gatishmërinë për ta bërë realitet planin e parealizuar prej vitesh

Me luftën në Ukrainë, Europa po kërkon alternativa të tjera për të siguruar gaz pasi marrëdhëniet me Rusinë janë në nivelin më të ulët.

Në prapaskenë po diskutohet një tubacion i mundshëm gazi Turqi-Izrael që do të furnizojë kontinentin.

Ideja, e konceptuar vite më parë, është të ndërtohet një tubacion nënujor nga Turqia në fushën e gazit natyror të quajtur Leviathan në brigjet e Izraelit. Gazi do të rrjedhë në Turqi për tek  fqinjët e Europës jugore që e mendojnë veten larg Rusisë.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha javën e kaluar se bashkëpunimi për gazin ishte “një nga hapat më të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe” me Izraelin. Kreu i shtetit turk duket se është gati për ta bërë realitet planin e parealizuar prej vitesh.

Një zyrtar i lartë turk tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se bisedimet kanë filluar që kur presidenti izraelit Isaac Herzog vizitoi Ankaranë në fillim të këtij muaji.

Izraeli dhe Turqia po kërkojnë të lënë pas një dekade ngërçesh diplomatike, kryesisht mbi çështjet izraelito-palestineze. Partneriteti energjetik mund të jetë kyç, veçanërisht pas sulmit rus të Ukrainës.

Megjithatë, ajo çfarë vlen të theksohet është se çdo linjë nënujore do të duhet të kalojë ujërat e Qipros, të cilën Ankaraja nuk e njeh, ose të Sirisë, me të cilën nuk ka marrëdhënie diplomatike. Sa do të realizohet kjo ide e vjetër pritet ta tregojë koha.

Klan News