Nënkryetari i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj e sheh pozitive përpjekjen për vendosjen e një dialogu politik në Parlament. I ftuar në studion e Klan Neës, Gjekmarkaj thotë se nuk ka asnjë marrëveshje dhe asnjë “Pazar” me partinë Socialiste.

“Nuk ka asnjë marrëveshje deri tani që po flasim apo pazar, nuk ka të humbur apo të fituar. Ne kemi protestuar sepse ka munguar respektimi i dialogut politik, ka munguar bashkëveprimi i institucioneve politike që janë partitë brenda Parlamentit.”

Edhe pse e quan një përpjekje të sinqertë nga pala tjetër, Gjekmarkaj thotë se opozita nuk po kërkon asnjë favor.

“Mos ta provokojnë opozitën dhe të gjejmë zgjidhje se si jo për t’i bërë favore opozitës, jo për lëmoshë, pa asnjë pazar sepse nuk po kërkojmë për të shitur gjë të gjallë, e për të marrë asgjë në këmbim. Por thjesht të zbatohet Kushtetuta dhe të drejtat tona brenda Parlamentit të Shqipërisë.”

Lidhur me aksionin disamujor të opozitës në Parlament, Gjekmarkaj thotë se ajo solli disa përfitime, ndërsa mohon që ajo të ketë dështuar.

“Mendoj që ne kemi përfituar nga protesta sepse i kemi transmetuar shoqërisë shqiptare se çfarë ndodh në Parlament dhe si të sillet kjo mazhorancë dhe ky kryeministër me ligjin.”

Gjekmarkaj ishte kritik me Lulzim Bashën, për të cilin tha se ka eliminuar vetveten dhe duhet të heqë dorë nga bashkëpunimi me PD.

Klan News