Një i ri shqiptar u gjet i pajetë në dhomën e tij në një qendër emigrantësh në Gradisca d’Isonzo (Gorizia) të Italisë, të martën. Viktima është një 28-vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.

Sipas asaj që shkruan agjencia italiane e lajmeve ANSA, shqiptari qëndronte bashkë me një maroken në dhomë. Ky i fundit u gjet në gjendje të rëndë shëndetësore, por jashtë rrezikut për jetën. Shkaqet e vdekjes së shqiptarit, apo dhe gjendjes së rëndë shëndetësore të marokenit nuk dihen ende.

Për ngjarjen prokuroria e Gorizia-s ka nisur hetimet. Të paktën nga sa mësohet, shqiptari ndodhej në këtë qendër i karantinuar për shkak të koronavirusit.

Vdekja e 28-vjeçarit solli revoltë në këtë qendër. Disa persona në shenjë proteste i vunë flakën dyshekëve dhe ambienteve të tjera. Situata u normalizua pas ndërhyrjes së autoriteteve. /tvklan.al