Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e cilësoi praninë e Izraelit në territoret e pushtuara palestineze të paligjshme, duke bërë thirrje që t’i jepet fund menjëherë ndërtimit të vendbanimeve.

Por menjëherë pas këtij mendimit të dhënë nga trupa e 15 gjyqtarëve ka reaguar Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu duke thënë se, territoret janë pjesë e atdheut historik të popullit hebre.

Në opinionin e saj prej më shumë se 80 faqe, kjo gjykatë evidenton se abuzimi nga Izraeli i statusit të tij si fuqi pushtuese e bën praninë e tij në territoret e pushtuara palestineze të paligjshme, duke shtuar se duhet të marrë fund “sa më parë që të jetë e mundur”.

Sipas gjyqtarëve, ndërtimi dhe zgjerimi e vendbanimeve izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, përdorimi I burimeve natyrore në këto zona, aneksimi dhe vendosja e kontrollit të përhershëm ndaj tokave dhe politikave diskriminuese ndaj palestinezëve përbëjnë shkelje të ligjit ndërkombëtar, që ndalon marrjen e territoreve me forcë.

Gjykata tha se Izraeli nuk mund të shtrijë sovranitetin e vet në këto territore, duke e akuzuar këtë të fundit se po pengon të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje.

Mendimi i gjykatës, që u kërkua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pas kërkesës së palestinezëve, vjen teksa Izraeli po vijon ofensivën e tij ushtarake në Gazë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po trajton gjithashtu edhe një rast tjetër të ngritur nga Afrika e Jugut e cila pretendon se fushata ushtarake e Izraelit në Gazë përbën gjenocid, por kjo akuzë mohohet nga Izraeli.

Tv Klan