Është mbajtur në Green Coast për të dytin vit radhazi, Panairi i Produkteve Artizanale në promovim të trashëgimisë së pasur kulturore dhe historike shqiptare. Gra dhe vajza artizane, kryesisht nga zona e Himarës, morën pjesë duke paraqitur produktet e tyre të punuara me shumë mjeshtëri.

Artizanet u shprehën se e vlerësonin shumë këtë nismë në ruajtje të traditës shqiptare që po bëhet e përvitshme në Green Coast, si dhe mundësinë për të promovuar krijimtarinë e tyre në një vend që frekuentohet nga kaq shumë turistë.

Ky panair ngjalli interes të veçantë tek turistët e huaj, të cilët patën mundësinë të njiheshin me kulturën dhe traditën shqiptare, sikurse edhe tek banorët e pushuesit vendas të cilët marrin pjesë vazhdimisht në aktivitetet e organizuara në Green Coast.

Për të katërtin vit radhazi, Green Coast organizon rreth 200 aktivitete të natyrave të ndryshme, jo vetëm për pushuesit në Green Coast, por për të gjithë turistët e Rivierës, si panairi i librit, aktivitete të artit pamor, poçerisë, aktivitete sportive, kinema verore dhe shumë te tjera që garantojnë argëtim për të gjitha moshat.

Tv Klan