Bardha Bengu dhe Ylli Zela ishin dy prej infermierëve të parë që i shkuan në ndihmë të plagosurve, nga rrëzimi i minibusit në greminë aksin në aksin rrugor Gramsh-Kërpiçë.

Për gazetarin e tvklan.al Spartak Koka, ata tregojnë se terreni ishte mjaft i vështirë dhe për të nxjerrë nga gremina të plagosurit përdorën mjete rrethanore, deri tek perdet e minibusit.

“Menjëherë sapo morëm njoftimin, ne direkt bëmë organizimin e punës dhe filluam dhe nisëm ambulancat bashkë me stafin që ishin këtu në moment. Duke njoftuar njëri-tjetrin vazhduam, vajtëm në vendngjarje, shikojmë njerëzit të përhapur në rrëkerat e rripave, fillimisht pamë të dëmtuarit kush ishte më rëndë, dhamë ndihmën e parë atje në vendin e ngjarjes. Pastaj me mjete rrethanore, çfarë mund të kishim atje, bluza, batanije që mund të na sillnin, edhe perdet e autobusit kemi grisur dhe i kemi lidhur që i kemi transportuar dhe i kemi nxjerrë nga ajo humnerë, që i çuam lart nga ajo greminë sepse barela nuk na bënte punë, sepse ishte shumë e vështirë. E kishim barrelën, po nuk bënte punë për shkak të terrenit të vështirë me shkurre dhe terren i thepisur”.

Infermierët tregojnë më tej se transportimin e të plagosurve e bënë me ndihmën e banorëve të zonës, duke i nxjerrë në rrugën kryesore ku i priste ambulanca.

Nga aksidenti i kësaj të shtune humbi jetën 30-vjeçari Ledian Lami, ndërsa të plagosur mbetën 10 persona të tjerë, mes tyre vëllai 25 vjeçar i viktimës, ashtu sikurse edhe shoferi i automjetit. Të gjithë të lënduarit janë transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ndërsa 4 prej tyre mësohet se janë në gjendje më të rëndë.

“4 nga ata janë të rrezikuar, janë rëndë, duke futur këtu edhe shoferin. Sepse shoferin e kam parë vetë, që duke bërë ekzaminimet tek grafia kishte një traumë, mendoj që mund të kishte ndonjë hemorragji të brendshme. Të gjithë personat i kemi transportuar duke dhënë ndihmën mjekësore këtu dhe duke na u ofruar ndihma e menjëhershme nga urgjenca kombëtare. Helikopteri erdhi për një rast të rëndë, nga këta. Një nga këta ishte e nevojshme për helikopter”, tha për tvklan.al, doktoresha Zamira Bezati nga spitali i Gramshit. /tvklan.al